Subvencione dhe kredi të buta, 100 mln euro për uljen e mbetjeve në industri pas vitit 2030
Programi Kombëtar i Parandalimit të Mbetjeve parashikon instrumente financiare dhe rregullatore për të nxitur ekonominë qarkulluese dhe uljen e ndotjes industriale.
Parandalimi i mbetjeve dhe roli i pushtetit vendor
Programi Kombëtar i Parandalimit të Mbetjeve përfshin, përveç institucioneve qendrore, edhe autoritetet vendore, të cilat përmes skemave tarifore nxitëse, bashkëpunimit me organizata të ndryshme dhe angazhimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve duhet të kontribuojnë në promovimin e ripërdorimit dhe reduktimin e mbetjeve. Shqipëria është e ndarë në 10 zona të menaxhimit të mbetjeve dhe secila zonë do të hartojë plane zonale me kapituj të posaçëm për parandalimin e krijimit të tyre.
Instrumente ekonomikë dhe fiskalë për industrinë
Parandalimi i mbetjeve do të mbështetet nga instrumente ekonomikë që lidhin stimujt financiarë me objektivat mjedisore. Masat ekonomike dhe fiskale do të nxisin bizneset të zbatojnë standarde të eko-projektimit, ripërdorimit dhe prodhimit të qëndrueshëm. Skema si tarifat e eko-moduluara, përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit dhe sistemet e depozitim–kthimit do të favorizojnë produkte të dizenjuara në mënyrë të qëndrueshme.
Sistemi “paguaj sipas hedhjes” dhe tregjet e ripërdorimit
Një instrument i rëndësishëm është sistemi “paguaj sipas hedhjes” (PAYT), i cili zbaton parimin “ndotësi paguan” dhe lidh drejtpërdrejt koston e menaxhimit me sasinë e mbetjeve të prodhuara. Instrumentet ekonomikë do të përdoren gjithashtu për të mbështetur tregjet e riparimit dhe ripërdorimit, përmes lehtësive tatimore dhe taksave të diferencuara, duke nxitur konsumin e qëndrueshëm dhe modele biznesi qarkulluese.
Kufizime për plastikat njëpërdorimshe
Në të njëjtën kohë, parashikohen ndalime dhe kufizime rregullatore për produkte dhe praktika problematike, si ndalimi i asgjësimit të mallrave të pashitura, kufizimet për plastikat njëpërdorimshe dhe kërkesat për alternativa ripërdorimi në shërbimet “take-away”. Plastika njëpërdorimshe identifikohet si një nga burimet kryesore të ndotjes, veçanërisht në mjediset ujore dhe detare, duke rrezikuar biodiversitetin dhe shëndetin publik.
Skema mbështetëse për bizneset
Dokumenti parashikon promovimin e teknologjive me efikasitet të lartë të burimeve në industrinë përpunuese, me prioritet sektorët e ushqimit, tekstileve dhe prodhimit të plastikës. Qeveria do të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përmes granteve dhe subvencioneve të drejtpërdrejta, kredive me interes të ulët dhe linjave të dedikuara financimi për investime në teknologji të pastra dhe inovative.
100 milionë euro pas vitit 2030
Këto masa synojnë përmirësimin e efikasitetit të burimeve, reduktimin e mbetjeve dhe emetimeve, si dhe zhvillimin e ekonomisë qarkulluese në industri. Për periudhën 2030–2035 parashikohet një buxhet prej 100 milionë euro, i financuar nga fondet e Bashkimit Europian pas anëtarësimit, nën përgjegjësinë e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, në koordinim me Ministrinë e Mjedisit.
Burimi:Ekofin.al
Më të lexuarat






